e shtunë, shkurt 03, 2007

RASTI I KOSOVËS, UNIVERSAL APO SUI GENERIS.


Dilemë e re për një sfidë të vjetër.

Dr. Islam Lauka*

Në prag të mbledhjes së Grupit të Kontaktit me 31.01.2006, në Londër, presidenti rus, Vladimir Putin, i dha "instruksione të qarta" Ministrit të Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov, lidhur me qëndrimin e Moskës për çështjen e Kosovës, duke theksuar që përcaktimi i statusit përfundimatar të saj duhet të ketë karakter universal. "Për hapsirën postsovjetike kjo është shumë e rëndësishme, sepse këtu ende nuk janë zgjidhur të gjitha konfliktet. Ne nuk mund të zbatojmë disa parime për një rast dhe disa të tjera për një rast tjetër", ı e porositi ai shefin e diplomacisë ruse.

Në fund të mbledhjes së Grupit të Kontaktit, Ministri Lavrov do të shprehej që, gjatë punës përgatitore, disa nga partnerët e tij u përpoqën të fiksojnë në dokumentin përfundimar të mbledhjes tezën që" Kosova është rast unik dhe nuk do të krijojë precedent. Ne me këtë nuk ramë dakort dhe, si përfundim, një qëndrim të tillë dokumenti i miratuar nuk e përmban". ²

Tezës së zbatimit të parimeve universale në gjetjen e zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe mundësisë së shfrytëzimit të saj si precedent për rregullimin e konflikteve të tjera, politika dhe diplomacia ruse i është kthyer e rikthyer, më se një herë, gjatë vitit 2006. Vetë kreu i shtetit, V. Putin i është referuar disa herë kësaj teze, duke i mëshuar kryesisht aspektit politik të saj dhe ndikimit në zonën e " interesave jetike" ruse.

Në një takim me ambasadorët rusë, në Moskë, me 27.06.2006, midis parimeve që, sipas tij, duhen mbajtur parasysh për zgjidhjen e krizave, veç universalitetit, ai theksoi domosdoshmërinë e respektimit të interesave të të gjitha palëve të përfshira në konflikt, duke sjellë si shembuj konfliktet në Zakaukaz, Transdnistria, Kosovë, Qipro.³ Tre muaj më vonë, në një intervistë të tij, në Financial Times, Putin nënvizoi se " nuk mund të zbatohet një paketë rregullash për Kosovën dhe një tjetër për raste të tjera. Çfarë ndryshimi ka situata në Kosovë nga ajo në Abhazi, Oseti?" Dhe përgjigjen e jep po vetë, " Asnjë ndryshim!" 

Akoma më shpesh i është referuar kësaj çështjeje, Ministri i Jashtëm rus, S. Lavrov. Në mbledhjen e Grupit të Kontaktit, në Nju Jork, me 20.09.2006, ai do të shprehej se rasti i Kosovës do të kishte natyrën e precedentit për Ballkanin dhe Europën në tërësi. Në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë për këtë mbledhje, u theksua se çdo spekulim mbi unikalitetin e rastit të Kosovës nuk është, asgjë tjetër, veçse një orvatje 6 për të shmangur të drejtën ndërkombëtare dhe për të përdorur standarte të dyfishta për zgjidhjen e krizave në rajone të ndryshme. Duke zhvilluar më tej këtë ide, me 03.10.2006, Lavrov do të deklarojë: "Kur flasim për precedent, ne përpiqemi të tërheqim vëmendjen se sa e rrezikshme është "kutia e Pandorës" që duan të hapin ata që, në rastin e Kosovës, janë gati të injorojnë qëndrimin e njërës pale, kurse për raste të tjera mbajnë qëndrim të kundërt. Kjo ka të bëjë edhe me standartet e dyfishta, natyrisht, por shqetësimi kryesor është fakti që ata që synojnë ta imponojnë statusin e Kosovës nuk shikojnë përtej hundës së tyre." Dhe po aty bën thirrje për një "vizion global dhe përqasje strategjike" ndaj situatave që zhvillohen aktualisht në botë, gjë që, sipas tij, do të bënte të mundur edhe parashikimin e pasojave.

Zëvendësit e tij, V. Titov dhe G. Karasin, herë pas here, në prononcimet e tyre, kanë vënë në dukje rrezikun e projektimit të "precedentit Kosovë" në situatat e konflikteve të tjera "të ngrira", duke u përpjekur të argumentojnë se " nuk mund të refuzohet e drejta e disave për të vepruar, ashtu siç u lejohet të veprojnë disa të tjerëve". 9

Deklarimet e zyrtarëve të lartë rus gjetën jehonë të gjerë në elitën politike ushtarake, intelektuale dhe, në përgjithësi, në opinionin rus, duke e trajtuar "precedentin e Kosovës" në rrafshin akademik, por kryesisht në atë politik. Zëvendëskryetari i Dumës së Shtetit, lideri i Partisë Liberal- Demokratike, V. Zhirinovski, shprehu bindjen se, pas Kosovës, të gjitha territoret që, deri tani, nuk janë njohur Nagorni Karabah, Abhazi, Oseti e Jugut, Transdnistria, do ta fitojnë menjëherë njohjen ndërkombëtare. 10

Për Kryetarin e Këshillit të Politikës së Jashtme dhe të Mbrojtjes, Sergej Karaganov, pavarësia e Kosovës do të justifikonte kërkesën e Osetisë së Jugut, Abhazisë dhe Transdnistrias për tu bashkuar me Federatën Ruse.11

Drejtoresha e Qendrës për Studimet Ballkanike, Elena Guskova, rrezikun e "precedentit Kosovë " e shikon jo në hapsirën postsovjetike, por më shumë, në Ballkan, në Maqedoni dhe në Vojvodinë. 12

Në mënyrë që të tingëllojë sa më aktual rreziku i "nëpërkëmbjes" së parimeve universale në zgjidhjen e çështjes së Kosovës tentohet që "precedenti Kosovë" të lidhet drejtpërdrejtë me konseguencat eventuale që ai do të sillte për nxitjen e terrorizmit, duke i vënë në raporte shkak- pasojë. Për Bashkëkryetarin e Këshillit të Strategjisë Kombëtare, Josif Diskin, " …heqja dorë nga universalizmi në zgjidhjen e çështjes së Kosovës do të thotë prodhim i një vale të re të terrorizmit dhe të zgjidhjes më vonë të konfliktit dhe, për pasojë, rrëshqitje drejt kaosit". 13

Motivi i "precedentit Kosovë" dhe rreziku i hapjes së " kutisë së Pandorës" do të përqafoheshin fort, për tu çuar deri në absurd, nga politika dhe diplomacia serbe. Sipas presidentit serb, Boris Tadic, "Kosova nuk është rast unik." Ashtu si rusi Diskin, Tadic i përmbahet pikëpamjes se dhënia e pavarësisë Kosovës do të inkurajojë lëvizjet terroriste, duke shkaktuar valë të pretendimeve destabilizuese të grupeve kombëtare në vendet e tjera të rajonit si, në Maqedoni dhe Bosnje-Hercegovinë. 14 Për kryeministrin serb Voisllav Koshtunica, pavarësia e Kosovës do të krijojë precedent, duke bërë që kërkesa të ngjashme të ngrihen edhe diku gjetkë. Sipas tij zgjidhja e problemit të minoriteteve nëpërmjet vetëvendosjes (veçanërisht në rastin e minoriteteve kombëtare, të cilat kanë, gjithashtu, vendet e tyre amë shumë pranë) të çon pashmangshmërisht në ndryshimin e kufijve dhe në të gjitha komplikimet e rrezikshme që ky ndryshim mbart me vete.15 Ndërsa Kryetarja e Qendrës Koordinuese Serbe për Kosovën dhe Metohinë, Sanda Rashkovic-Ivic, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, më 13.09.06 do të paralajmëronte; " një zgjidhje e nxituar nuk do të ishte thjesht zgjidhje, por edhe një precedent që do të hapte "kutinë e Pandorës", e cila në asnjë mënyrë nuk duhet hapur. Vërtet është e vështirë të besohet që dikush ka dëshirë të marrë përsipër përgjegjësinë e hapjes së saj…"16

Por ai që më me zell do ta mbante në qafë kumonën e "precedentit Kosovë" për ta tundur natën e ditën, do të ishte Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Drashkovic. Me një patetizëm për tu patur zili, ai filloi të deklamojë sa në një kryeqytet, në tjetrin që, nëse Kosova bëhet e pavaruar, ajo do të kthehet në një "vatër zjarri të rrezikshëm" që do të shkaktojë " tërmet politik" në vendet fqinje, si dhe në shumë rajone të tjera të botës, në veçanti në territoret e ish republikave sovjetike. 17 Sipas tij, "precedenti Kosovë" do të "shkrinte" jo më pak se 30 konflikte 'të ngrira'.18 Në kryeqytetet e qendrave vendimmarrëse, monologun e "precedentit" ai e përshtaste dhe e pasuronte me improvizime, sipas rastit, në Pekin për rrezikun që paraqiste lidhur me Tibetin, në Moskë, për Çeçeninë dhe konfliktet e ngrira në hapsirën postsovjetike, për të përfunduar në Nju Jork me apokalipsin e tërë sistemit të rendit të sotëm ndërkombëtar.

Teza e "precedentit Kosovë" pati jehonë të gjerë sidomos, në të ashtuquajturat "konflikte të ngrira" apo " konflikte të zgjatura" në hapsirën postsovjetike. Pëfaqësuesit më të lartë zyrtarë të këtyre shteteve, de facto të pavarura, por pa njohje ndërkombëtare, të kapluar nga ethet e deklaratave, nëpërmjet të cilave ata shpresonin të tërhiqnin vëmendjen e qendrave vendimmarrëse u bashkuan në një pikë: " Nëse atyre u lejohet, neve pse jo?"

Kryeministri i Abhazisë, Aleksandër Ankuab, tezën e " precedentit Kosovë " e vlerësoi si objektive dhe që u jep shumë shpresë abhazëve.20 Ndërsa Ministri i tij i Jashtëm, Sergej Shamba deklaroi se " Abhazia ka më shumë argumente për pavarësinë se Kosova. Ajo ka 13 vjet që ekziston si shtet i pavarur".21 Kryetari i Parlamentit të Transdnistrias, Evgeni Shevcuk, u shpreh se " situata në Kosovë nuk mund të jetë unike. Rasti i saj duhet të bëhet algoritëm për zgjidhjen e konflikteve të tjera, duke përfshirë Transdnistrian", sepse, sipas tij, qytetarët e saj e kanë të drejtën e njohjes së vendit të tyre si shtet, ashtu siç e kanë qytetarët e Kosovës.22

Reagim diametralisht të kundërt shfaqën vendet, të cilave u përkasin de jure republikat separatiste. Presidenti i Gjeorgjisë, Mikail Saakashvili u shpreh se " çdo aluzion për ndonjë precedent në Abhazi apo në Osetinë e Jugut është i papërshtatshëm dhe i pa mend."23 Presidenti i Moldavisë, Vladimir Voronin, e përjashtoi mundësinë e ndikimit të " precedentit Kosovë" në vendin e tij: " Pëvoja e rregullimit të konfliktit në Kosovë nuk mund të zbatohet në zgjidhjen e problemit të Transdnistrias. Konfliktet e Kosovës dhe Transdnistrias dallohen rrënjësisht dhe metodat e zgjidhjes së tyre duhet të jenë adekuate. Nuk mund të përdoren të njëjtat metoda për probleme të ndryshme, duhet nisur nga situata konkrete që ekziston në këtë apo atë rajon".24 Ministria e Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit, gjithashtu, deklaroi se është kundër unifikimit të praktikave për rregullimin e konflikteve që ndryshojnë nga njëri-tjetri.25 Të tri këto vende bënë deklarata zyrtare edhe në emër të GUAM*, në të cilat, jo vetëm që hidhet poshtë argumenti i " precedentit Kosovë", por edhe vlerësohen si spekulime përpjekjet për ta përdorur atë politikisht.

*organizatë ku bëjnë pjesë Gjeorgjia, Ukraina, Azerbajxhani dhe Moldavia, me orientim perëndimor.

Në debat, si në një vorbull, u përfshinë shtete, organizma dhe organizata

ndërkombëtare, të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me konfliktin e Kosovës, apo konflikte të tjera si dhe një armatë e tërë politikanësh, diplomatësh, studiues të së drejtës ndërkombëtare, opinionistë etj.

I dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Marti Ahtisaari e karakterizoi Kosovën " si një rast sugeneris, një rast i veçantë, që ka një histori të vetën" dhe se "diskutimet rreth precedentit janë më shumë politikë se diçka tjetër". 26

Të njëjtin koncept mbrojti Zëvendëssekretari i Shtetit, Nikola Berns, i cili, në një intervsitë të tij, në BBC, më 03.07.2006, u shpreh se " është krejtësisht kundër idesë që zgjidhja e çështjes së Kosovës do të krijojë një precedent apo model për zgjidhjen e problemeve të veçanta kudo që të jetë. Kosova është rast unik.27 Duke zhvilluar më tej këtë ide, Zëvendësasitentja e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Rozmari Di Carlo, vë në dukje se Kosova është rast unik, sepse paraqet pasojën e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë dhe se Bashkësia Ndërkombëtare, mbi bazën e Rezolutës 1244, ka miratuar masat për stabilizimin e gjendjes, gjë që nuk ka ndodhur me konfliktet e tjera. 28

Qëndrim të ngjashëm kanë mbajtur edhe përfaqësuesit zyrtarë të Anglisë, Francës dhe Gjermanisë në Grupin e Kontaktit. 29 Edhe Zëdhënësja e Komisionit Europian, Ema Advin, vlerësoi se "nuk mund të ketë krahasime ndërmjet Kosovës dhe rajoneve të tjera, përfshirë dhe Kaukazin Jugor. Çështja e Kosovës është një rast i veçantë". 30 Ndërsa kryesuesi i rradhës i OSBE-së, Ministri i Jashtëm i Belgjikës, Karl de Gucht, i cilësoi si artificiale paralelizmat midis Kosovës dhe " konflikteve të ngrira". 31

Vetë Prishtina zyrtare në të gjitha prononcimet e saj ka argumentuar karakterin unik të rastit të Kosovës dhe ka hedhur poshtë pretendimet se modeli i zgjidhjes se ketij problemi do te kete ndkimi negative ne Rajon apo me gjerë. Përkundrazi, sipas Prishtines nese flitet per ndikim, ai do te jete krejtesisht pozitiv, sepse do te qetesoje si Kosoven, ashtu edhe fqinjet e saj. Midis fqinjeve, spikat qendrimi i Shqiperise.

Presidenti Shqiptar, Alfred Moisiu, e cilësoi " si të pasaktë dhe të padrejtë mendimin e shprehur se pavarësia e Kosovës do të hapte derën për të zbatuar zgjidhje analoge për probleme që sot ekzistojne në vende dhe rajone të ndryshme". 32

Edhe Maqedonia dhe Mali i Zi, përgjithësisht, i përmbahen pikëpamjes së unikalitetit të rastit të Kosovës. Por jo të gjithë fqinjët janë në këtë linjë. Nëse Bosnje-Hercegovina ka rezerva e dyshime lidhur me ndikimin e "precedentit Kosove", Sofja zyrtare flet për "efektin dominant" të tij. Sipas presidentit bullgar, G.Pervanov, pavarësia e Kosovës do të shkaktonte procese disintegruese në Mal të Zi, Vojvodinë, Bosnje –Hercegovinë, dhe Maqedoni. 33

Midis studiuesve, tërheq vëmendjen vlerësimi i njërit prej njohësve më kompetentë të Ballkanit, në përgjithësi dhe të Kosovës, në veçanti, Noel Malkolm, sipas të cilit, për disa politikanë krijimi i një precedenti është kthyer në "precedentomani". Duke bërë një analizë krahasuese të Kosovës me rastet e tjera në Ballkan apo në Europë, ai konkludoi "që Kosova është një rast shumë special dhe shumë larg krijimit të një precedenti."34 Analisti tjetër i njohur, Janusz Bugajski, konsideron se " çdo rast është unik dhe nuk ka ndonjë formulë uniformuese për shkëputje apo pavarësi. Çdo gjë ka të bëjë me kontekstin historik dhe politik, natyrën e përfshirjes ndërkombëtare dhe mekanizmat e vendimmarrjes." 35

Pikëpamje krejtësisht të kundërt me dy të parët mbron analisti Aleksander Mitic, i cili në shkrimin "Pro-të dhe kundërshtitë e dilemës Kosovare", impaktit e "precedentit Kosovar" shtrim në të gjitha lëvizjet separatiste, përfshirë krahinën Baske, Korsikën, Tibetin, Tajvanin, Kurdistanin, Skocinë, Kebekun, Qipron Veriore, Kashmirin dhe Tajlandën e Jugut. 36

Rasti i Kosovës ravijëzoi kështu dy koncepte krejtësisht të kundërta: koncepi i precedentit, i përfaqësuar dhe i mbrojtur, kryesisht, nga Serbia dhe Rusia dhe ai i unikalitetit, i përfaqësuar dhe i mbrojtur, kryesisht nga faktori perëndimor. Mbështetësit e konceptit të parë, formalisht i referohen teorisë të së drejtës ndërkombëtare dhe, mbi këtë bazë të "justifikuar" ligjore, përpiqen të argumentojnë se vetëm alkimia e normave dhe parimeve të kësaj të drejte është e aftë të japë zgjidhjen e duhur dhe afatgjatë për statusin e Kosovës, çka, do të përbënte "çelësin universal" 36 për zgjidhjen e të gjitha konflikteve, sado të ndryshme qofshin ato. I sajuar në këtë mënyrë, "precedenti Kosovë" do të shërbente si një formulë çudi bërëse, e cila, e shumëfishuar në një fotokopje mund të shpërndahet për t'u zbatuar në të gjitha pikat e nxehta. Në të kundërt, pra nëse nuk zbatohen parimet dhe normat ndërkombëtare, sipas tyre, ky precedent do të kthehej në një "bombë me sahat", e aftë për të shpërthyer në çdo moment dhe në çdo cep të globit. Po tu referohemi dukurive që na ka ofruar natyra, vitet e fundit, paralelet e përfytyrimit të apologjetëve të "precedentit" i gjejmë te cunami, me qendrën e tij në Kosovë, dallgët dhe duhama e të cilit prekin Ballkanin, Europën dhe të gjithë globin.

Mbështetësit e konceptit të unikalitetit e kategorizojnë rastin e Kosovës si "sui generis", i ndryshëm nga të tjerët, me karakteristika të dallueshme, unike, të papërsëritshme e të pangjashme me konflikte të tjera. Si i tillë, sipas tyre, ai kërkon edhe zgjidhje specifike, të ndryshme nga rastet e tjera, një zgjidhje unike. Duke qenë zgjidhje unike për një rast të vetëm dhe unik, siç është Kosova, ata argumentojnë se nuk ka gjasa reale që të flitet për ndikim të saj në konfliktet e tjera, aq më pak për krijimin e një precedenti, modeli apo formule universale, që do të përdorej si hajmali për qetësimin e të gjitha konflikteve.

Shfaqja e këtyre dy koncepteve të kundërta dhe përplasja e tyre gjatë gjithë procesit të statusit të Kosovës e ndërlikoi edhe më shumë gjetjen e një zgjidhje të shpejtë e të pranueshme nga palët e interesuara. Një dilemë e re iu shtua sfidës së vjetër, thuajse shekullore, edhe ashtu të komplikuar, të Kosovës. Zgjidhja e kësaj dileme paraqet interes teorik, por më shumë praktik.

Vijmë kështu tek pyetja, përgjigja e se cilës synohet të jepet në këtë studim: Në anën e kujt qëndron e vërteta, a është Kosova një rast i veçantë, apo si gjithë të tjerët. Dhe lidhur me këtë, a duhet që për rastin e Kosovës të gjendet një zgjidhje e veçantë, unike, e vlefshme vetëm për rastin e saj, apo një zgjidhje me atribute universale, një paradigmë për zgjidhjen e të gjitha konflikteve. Thënë shkurt, si duhet konsideruar rasti i Kosovës, universal apo sui generis? Për ti dhënë përgjigje pyetjes së shtruar është e nevojshme që rasti i saj të analizohet në raport me konfliktet e tjera, kryesisht ato, me të cilat, supozohet se ka ngjashmëri më shumë. Vështirë të gjenden ngjashmëri midis Kosovës, nga njëra anë dhe Korsikës, Qipros apo Kebekut, nga ana tjetër. Por, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për konfliktet e Kosovës dhe ato të hapsirës postsovjetike si në Transdnistria, Nagorni Karabah, Oseti e Jugut, Abhazi që erdhën si pasojë e shpërbërjes së dy federatave shumëkombëshe socialiste, Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë. Ngjashmëritë eventuale mbartin me vete edhe rrezikun e ndikimit të modelit të njëri-tjetrit. Analiza krahasuese e rastit të Kosovës me ato "të konflikteve të ngrira" merr në konsideratë edhe faktin që reagimet më të shumta dhe retorika më e nxehtë për mundësitë e ndikimit të "precedentit Kosovë" kanë ardhur kryesisht nga kjo hapsirë. Por, para se të kalohet në analizën krahasuese të tyre, është e nevojshme që të ndalemi, shkurtimisht, në planin retrospektiv, në natyrën e formacioneve shtetërore shumëkombëshe, pjesë përbërëse të të cilave kanë qenë Kosova dhe republikat separatiste të hapsirës postsovjetike.

Simetritë dhe asimetritë e federatave shumëkombëshe socialiste. Rasti i Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, dhe i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.

Udhëtimi retrospektiv për të arritur tek përgjigja e pyetjes sonë na çon në vitet, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, kur pushuan së ekzistuari Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) dhe Republika Socialiste e Federatës Jugosllave (RSFJ). Të dy këto formacione janë njohur si shtete socialiste, Bashkimi Sovjetik me një histori të tillë, rreth 70 vjeçare, ndërsa Jugosllavia, rreth 45 vjeçare, të dy me një sistem të bazuar në ideologjinë marksiste dhe në një aparat të fuqishëm të sigurimit, respektivisht KGB dhe UDB. Si të tilla të dy këto federata kanë qenë shtete diktatoriale, totalitare, gjë që duket qartë në kultin e Stalinit dhe udhëheqësve të tjerë sovjetikë, si dhe në kultin e Titos në Jugosllavi. Në aspektin ekonomik, ngjashmëritë kanë qenë evidente, sidomos lidhur me ndikimin e qendrës në planet e zhvillimet apo shtetëzimet arbitrare si dhe industrializimin e sforcuar. Megjithatë pas vitit 1948 u vune re edhe dallime. Ndryshe nga Bashkimi Sovjetik, në Jugosllavi nuk u krye kolektivizimi i plotë, u ruajt, në një farë mase, prona private dhe tregu, pjesërisht, mbeti i hapur për mallrat perëndimore. ı Të dy kanë qenë shtete federative dhe federalizmi i tyre ka njohur nivelin republikan, krahinor dhe rajonal², me format përkatëse të organizimit: republikë, krahinë autonome dhe rajon autonom. Kufijtë administrativë të subjekteve federative në të dy vendet janë vendosur në mënyrë arbitrare, nisur nga postulatet leniste e staliniste të politikës nacionale.³

Analistë të ndryshëm, vënë në dukje që të dy federatat kanë të përbashkët edhe faktin që, në secilën prej tyre, dallohet kombi lider që ka treguar interes dhe ka kontribuar, jo vetëm për themelimin, por edhe zhvillimin e mbrojtjen e supershtetit të vet. Deputeti i njohur rus, Sergej Baburin, shkon deri atje sa të pohojë që " serbët dhe rusët sakrifikiuan shtetin kombëtar për hir të lulëzimit të një shteti më të fuqishem."  Analistë të tjerë, vënë në dukje se, më afër së vërtetës është argumenti, sipas të cilit, rusët dhe serbët, për hir të aspiratave të tyre shtetomëdha, shtypen si në mokër interesat kombëtare të popujve jorusë dhe joserbë.

Tipar tjetër i përbashkët është kriteri mbi bazën e të cilit u bë emërtimi i republikave të federuara në të dy shtetet. Në rrënjën e emrit të çdo republike qëndronte "përkatësia kombëtare". Në Bashkimin Sovjetik emërtimi i të gjitha republikave (gjithësej 15) i është përmbajtur këtij kriteri. Territori i populluar nga armenët quhej Republika Socialiste Sovjetike e Armenisë, ai i populluar nga bjellorusët Republika Socialiste Sovjetike e Bjellorusisë, e kështu me rradhë, Republika Socialiste Sovjetike e Azerbajxhanit, Republika Socialiste Sovjetike e Lituanisë etj. Edhe emërtimet e republikave, rajoneve apo qarqeve autonome në Bashkimin Sovjetik niseshin nga i njëjti kriter. Kështu njihej Republika Autonome e Tatarstanit, e Cecenisë, në Rusi, rajoni autonom i Osetisë së Jugut, në Gjeorgji etj. Përjashtim bënte vetëm Azerbajxhani, 6 ku ekzistonte Republika Socialiste Sovjetike Autonome Naichevan dhe Krahina Autonome Nargorni Karabah, emërtimet e të cilave nuk thonë asgjë për përkatësinë kombëtare të banorëve që jetojnë aty, sepse nocione të tilla etnike si, naichevanas ose karabahas nuk ekzistojnë. Të njëjtin përjashtim do ta gjejmë edhe në Jugosllavi. Ndërsa të gjashtë republikat e federuara, ashtu si në Bashkimin Sovjetik, kanë në bazë të emërtimit të tyre zyrtar përkatësinë kombëtare të popullit shumicë, si Republika e Kroacisë-territori i populluar nga kroatët, Republika e Serbisë apo e Sllovenisë, të populluara, përkatësisht nga serbët dhe sllovenët dhe, kështu me rradhë, ky kriter nuk gjen zbatim në emërtimin e dy krahinave autonome në përbërje të Federatës Jugosllave. Emërtimi Kosovë e Metohi nuk thotë asgjë për përkatësinë kombëtare të atyre që popullojnë krahinën. Nuk ka ekzistuar ndonjëherë dhe nuk ekziston as sot ndonjë term i tillë etknik si kosovo-metohias. Emërtimi Kosovë- Metohi është më shumë një emërtim politik, i lidhur me historinë apo me mitet historike, por jo edhe me njerëzit që banojnë aty. Emërtimi Krahina Autonome e Vojvodinës, gjithashtu nuk merr në konsideratë përkatësinë kombëtare. Termi Vojvodinë nuk thotë asgjë për përkatësinë etnike të atyre që popullojnë krahinën. Nën çatinë e termit "vojvodinas" mund të gjendet serbi, hungarezi, apo ndonjë kombësi tjetër.

Nga pikëpamja etnike, të dy federatat kanë qenë mjaft heterogjene. Bashkimi Sovjetik ka qenë një konglomerat popujsh, me mbi 100 kombe e kombësi, me karakteristika të dallueshme gjuhësore, fetare, deri edhe racore. Veç besimit të krishterë, kryesisht ortodoks, por edhe të sekteve të tjera të krishtera, Bashkimi Sovjetik ishte dhe vendi i muslimanëve, budistëve, judaistëve, përfshirë edhe disa kombësi të vogla pagane në veri. Një strukturë të ngjashme ka edhe sot Rusia. Megjithëse, shumë herë më e vogël, edhe Federata Jugosllave ishte një konglomerat popujsh në llojin e vet, me shume gjuhë, kultura e besime të ndryshme. Duke përshkruar situatën e këtij vendi, në vitet '70 të shekullit të kaluar, ish zëvendëssekretari amerikan i shtetit Strobe Talbott, vë në dukje se" Jugosllavia përbëhet nga 6 republika, 5 kombësi, 4 gjuhë, 3 besime fetare, 2 alfabete dhe 1 Tito." 9

Duke qenë shumëkombëshe, të dy federatat, që në momentin e krijimit dhe gjatë gjithë ekzistencës së tyre kanë patur si bashkëudhëtare të përhershme lëkundje sizmike të shkaktuara nga përplasjet e interesave kombëtare të popujve që i përbënin ato. Në çështjen nacionale, Bashkimi Sovjetik, herë pas here, zbatoi metoda tipike për sundimin kolonial. U zhvendosën popuj të tërë nga territoret e tyre etnike, sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore, me preteksin e bashkëpunimit me nazistët, siç ishte rasti me çeçenët, ngushet, ballkarët dhe popuj të tjerë të Kaukazit të Veriut. U ndryshua struktura etnike në republika të ndryshme si, në Letoni, Estoni, Abhazi etj, nëpërmjet zhvendosjeve të detyruara të popullsisë. U bënë ndryshime arbitrare të kufijve republikanë, pa marrë fare parasysh ndikimin e këtyre ndryshimeve mbi fatin e popujve. 10 Element të këtyre metodave tipike kolonianiste nuk ishin të panjohura as për Jugosllavinë socialiste, aq më tepër që kushtetuta e saj e vitit 1946, u bë nën ndikimin e kushtetutës së Bashkimit Sovjetik , të vitit 1936. 11 Koncepti dhe modeli Stalinist i zgjidhjes së çështjes kombëtare u zbatua, pa ndonje ndryshim thelbesor në teorinë dhe praktikën e shtetit jugosllav të pasluftës së dytë Botërore. Në këtë drejtim është kuptimplotë shembulli i shqiptarëve, populli i tretë në numër, pas serbëve dhe kroatëve. Beogradi u kujdes që territoret shqiptare ti shpërndajë në katër njësi federale, në tre republika ( Serbi, Maqedoni, Mal i Zi) dhe në Krahinën Autonome të Kosovë - Metohisë. Nga ana tjetër, si pasojë e terrorit sistematik të ushtruar nën pretekstin e mbledhjes së armëve, si dhe në kuadrin e marrëveshjes me Turqinë, në vitet '50- '60, u detyruan të largoheshin nga tokat e tyre për në Turqi me qindra e mijëra shqiptarë, ndërkohë që "në Kosovë u vendosën 50.000 serb e malazezë". 12

Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavia kanë pasur të përbashkëta edhe "përvojat e përçarjeve të përgjakshme shtetërore e civile".13 Sovjetët përjetuan tmerret e luftës civile në vitet 1917- 1922, ndërsa sllavët e jugut në vitet 1941-1945.

Duke u nisur nga ngjashmëritë e këtyre formacioneve shumëkombëshe, studiues të ndryshëm argumentojnë se Jugosllavia nuk ishte gjë tjetër veç një "minimodel i Bashkimit Sovjetik",14 për më tepër që vetë Jugosllavia aspironte rolin e modelit të vet, pra të një "Bashkimi Sovjetik të vogel në Ballkan" 15 Nga ky këndvështrim, sipas studiuesit rus, Pavel Kandel, nuk ishte e vështirë që të gjeje "Slloveninë" tënde në vendet e Balltikut, "Kroacinë" tënde në Ukrainë. Në Bjellorusi mund të gjeje lehtë Malin e Zi, në Azinë e Mesme dhe, sidomos në Kazakistan gjeje analogun e Bosnje-Hercegovinës, kurse në Kaukazin e Veriut dhe, sidomos në Ceçeni, gjeje analogji me Kosovën. 16 Këto dy të fundit, Kosova dhe Ceçenia konsideroheshin si "fryte të së njëjtës peme". 17

E pakta që mund të thuhet për analogjinë e mikro dhe makromodelet është se, si tezë, është shumë e diskutueshme dhe jep shkas për spekulime, siç ndodh edhe me studiuesin rus të gjeopolitikës, Aleksandër Dugin, i cili analogjisë së mësipërme i jep ngjyrim fetar deri edhe racist, duke u përpjekur të argumentojë që Serbët përfaqësojnë në Ballkan Rusinë ortodokse, dhe se, nëpërmjet faktorit etnik dhe fetar, Serbia s'është gjë tjetër, veçse vazhdim gjoepolitik i Rusisë në jug të Europës. Ndërkohë që Shqiptarët muslimanë dhe boshnjakët i konsideron si mbeturina të Perandorisë Osmane. 18

Nuk janë të paktë studiuesit që ngjashmëritë midis këtyre dy vendeve i gjejnë tek proceset paralele të shpërbërjes së tyre. Kriza ekonomike që i mbërtheu ato në vitet '70, u thellua dhe u ndërthur me krizën e thellë të marrëdhënieve nacionale, me krizën e gjithanshme politike dhe shoqërore, të gjitha këto në bashkëveprim edhe me faktorë të tjerë gërryes gjeoplotikë, çuan në shembjen thuajse në të njëjtën kohë të ngrehinave të tyre . Në përgjithësi, si shkaqet e shpërbërjes ashtu dhe dinamika e krizës përkojne shumë. 19 Ashtu siç përkojnë metodat për të penguar procesin e shpërbërjes, të cilat, në thelb, në të dy vendet ishin të bazuara në forcë dhe dhunë. Moska tentoi që të pengojë valën në rritje të sovranizimit të republikave dhe ti mbajë ato me forcë, të lidhura pas vetes. Njësitë e ushtrisë dhe forcave speciale të Ministrisë së Brendshme në mënyrë periodike, u dërguan në kryeqytet e republikave rebele, në Armeni, Azerbajxhan, Bjellorusi, Gjeorgji, Letoni, Lituani, Kazakistan dhe Taxhikistan. 20 Të pakënaqur me qëndrimin "e butë" të Gorbacovit ndaj tendencave separatiste, të pakënaqur me frymën liberale të perestrojkes, forcat radikale komuniste, në gusht të vitit 1991, u orvatën qe të marrin nën kontroll zhvillimin e ngjarjeve dhe të rikthejnë në vend situatën që ekzistone para ardhjes së Gorbacovit në pushtet. Forcat demokratike ruse e vlerësuan orvatjen e tyre si puç dhe e shkatërruan atë, 21 duke shpëtuar vendin nga jugosllavizimi, gjë që do te ishte me pasoja tepër të rënda, jo vetëm për fatet e popujve të Bashkimit Sovjetik, por të mbarë njerëzimit. Ndër mbështetësit e pakët të puçistëve rezultoi të jetë lideri serb, Sllobodan Milloshevic i cili llogariste tek puçistët një aleat të sigurtë për realizimin e aspiratave të veta shtetomëdha. Atë që, për fatin e mirë, nuk arritën ta bëjnë puçistët në Bashkimin Sovjetik, për fat të keq, e realizoi Milloshevici, në Jugosllavi. Duke shfrytëzuar arsenalin e fuqishëm të ushtrisë jugosllave, ai ndërrmori, njëra pas tjetrës, katër luftra të përgjakshme, fillimisht kundër republikave simotra rebele dhe, me vonë, kundër autonomisë së shqiptarëve të Kosovës.

Ngjashmëritë nuk mungojnë as në pasojat që rrodhën nga shpërbërja e dy federatave shumëkombëshe. Pjesë të rendësishme të kombit rus dhe atij serb mbetën jashtë shteteve të tyre amë. Papritmas, nga pjestarë të "kombit të madh", "të etnosit dominues", ata u gjendën në pozitën e pakicës kombëtare, jo më dominues apo të rendësishëm si më parë. Një dukuri e tillë ndodhi me rusët në Ukrainë, në republikat balltike, apo në Kazakistan. E njëjta gjë ndodhi me serbët në Kroaci, në Bosnje –Hercegovinë apo në Kosovë. Ndërkaq disa pakica të mëparëshme papritmas u gjenden në pozitën e shumicës. Në të dy rastet, si nga rusët, ashtu edhe nga serbët, ky ndërrim rolesh nuk u kapërdi lehtë, përkundrazi u përjetua me tension, i cili, sidomos në Jugosllavi, për fat të keq nuk u arrit të mbahej nën kontroll. Nga forcat ultranacionaliste në pushtet, të grumbulluara rreth Sllobodan Milloshevicit ky tension u manipulua, herë duke aktivizuar tendencat separatiste në shtetet e reja të sapokrijuara, herë duke ndërmarrë vetë luftra agresive, në funksion të ëndrrës së vjetër për krijimin e Serbisë së Madhe, e cila kishte për mision që të bashkonte në një shtet të gjithë serbët, sëbashku me territoret ku ata banonin. Pasojë e këtij manipulimi dhe instrumentalizmi të tensionit shoqëror, nga ana e shtetit serb, ishte rikthimi i skenarëve të dhunës dhe vrasjeve masive, të spastrimit etnik dhe genocidit, dukuri me të cilat Europa nuk ishte ballafaquar që nga Lufta e Dytë Botërore. Me forcën e topave dhe të tankeve u tentua të mbytej e drejta për vetvendosje e popujve të Jugosllavisë, përfshirë të drejtën e shkëputjes, e sanksionuar në kushtetutën e vitit 1974. Kur kjo tentativë dështoi dhe u bë e qartë se Beogradi nuk mund të ndalonte pavarësimin e ish republikave jugosllave u kalua në krijimin e subjekteve të reja, jashtë substratit kushtetues republikan dhe auotonom siç ishin Republika Serbe e Krainës dhe, më vonë, Republika Serbe e Bosnjes. Agresioni i hapur ndaj Republikave simotra, Kroaci, Slloveni, Bosnje- Hercegovinë, si dhe krijimi i subjekteve të reja shtetërore, të panjohura kurrë më parë, përbëninin dhe shkeljen më të rëndë të parimeve të së drejtës ndërkombëtare mbi paprekshmërinë e kufijve dhe tërësinë territoriale, një ndër shfaqjet më brutale të nëpërkëmbjes të Kartës së OKB-së dhe Aktit të Helsinkit, të cilave, kaq dendur u referohet Beogradi në tjerrjet e veta teorike kundër pavarësisë së Kosovës. Zgjedhja e Beogradit për të përdorur forcën dhe dhunën si mjete kryesore, shpesh herë, të vetme, në funksion të qëllimeve politike bëri që, në raportet ngjashmëri- dallime, gjatë procesit të shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë, rëndesa të anojë nga këto të fundit, gjë që përcaktoi edhe vektorët e ndryshëm të lëvizjes së Rusisë dhe Serbisë në vitet '90.

Rusia ishte një ndër faktorët më aktivë për përmbysjen e perandorisë shumëkombëshe sovjetike. Rreth një vit e gjysëm para se ajo të shpërbëhej, Parlamenti Rus, më 12.06.1990, miratoi, "Deklaratën mbi Sovranitetin". Duke ju kundërvënë grushtit të shtetit të forcave të vjetra radikale, në gusht të vitit 1991, pas shkatërrimit të tij, Rusia u bashkua me popujt jo rusë të ishrepublikave sovjetike për realizimin e të drejtës së vetvendosjes, e drejtë kjo e fiksuar në kushtetutën e BRSS. Në këtë kuadër, ajo fillimisht njohu deklaratat mbi sovranitetin dhe, më vonë, bëri edhe njohjen zyrtare të shteteve të reja që u krijuan si rrjedhojë e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Pretendimet e Kremlinit për territore si, Kazakistani i Veriut, Krimeja, Odesa etj, u kufizuan në deklaratat e zëdhënësit të shtypit të presidentit të Rusisë, P. Voshçanov apo të Kryetarit të Bashkisë së Moskës, G.Popov. 22 Në përgjithësi, Rusia nuk vuri në dyshim tërësinë territoriale të republikave simotra, duke respektuar kufijtë ekzistues, të trashëguar nga Bashkimi Sovjetik. Në hapsirën postsovjetike, në vend të supershtetit të mëparshëm, u krijua bashkësia e shteteve të pavarura, një strukturë amorfe, që, megjithatë mundësoi vazhdminin e komunikimit dhe lëvizjes së njerëzve dhe të mallrave midis ish repubulikave sovjetike, duke siguruar një ndarje graduale, deri diku, të butë me qendrën e mëparshme. Shpërbërja, relativisht paqësore e gjigandit sovjetik bëri që bota të marrë frymë e lehtësuar. Seç pasoja makabre do të kishte përsëritja e skenarit jugosllav në hapsirën postsovjetike, jo vetëm për paqen e sigurinë europiane, por edhe atë planetare, mjafton të kujtojmë se, veç Rusisë, edhe Ukraina, Bjellorusia dhe Kazakistani zotëronin një arsenal të fuqishëm bërthamor, të trashëguar nga supershteti sovjetik. Vetëm Ukraina kishte shumë më tepër armë bërthamore, sesa Franca dhe Anglia, të marra sëbashku. 23

Shteti rus i sapodalë nga gërmadhat e perandorisë sovjetike, ndryshe nga Serbia në përgjithësi u bëri ballë tundimeve "për të mbledhur të gjithë rusët në një shtet", gjë që i mundësoi Moskës të ruhej nga shumë përplasje të përgjakshme, të ngjashme me ato të tragjedisë Jugosllave. Megjithatë as ajo nuk mundi të evitojë gjakderdhjen. Qëndrimi i Moskës ndaj autonomive të veta rezultoi të ishte kontradiktor. Nga njëra anë, ajo mbajti një qëndrim fleksibël, sidomos në periudhën 1990- 1991, kur të gjitha republikat autonome të Rusisë u deklaruan si shtete sovrane, duke hequr fjalën "autonome", ndërkohë që të gjithë rajonet autonome, me përjashtim të atij çifut, u vetshpallën republika. 24 Me kushtetutën e miratuar, më 12.12.1993, si dhe me nënshkrimin e traktateve të veçanta siç ishte ai me Tatarstanin, mbi delegimin e ndërsjellë të kompetencave (15.02.1994), Moska krijoi bazën e nevojshme ligjore për rregullimin e marrëdhënieve me autonomitë e veta, në periudhën postsovjetike. Si rregull, traktatet e veçanta u dhanë subjekteve federale të drejta më të mëdha, sesa ato që sanksiononte kushtetuta. Këto të drejta, në mënyrë të veçantë, kishin të bënin me shpërndarjen e të ardhurave dhe me fleksibilitetin më të madh për të hyrë në marrëdhënie me jashtë. Por në raportet me Çeçeninë, qeveria ruse ju rikthye përvojës së dikurshme sovjetike në zgjidhjen e çështjes nacionale. Në vend të zgjidhjes së problemit çeçen me bisedime, Moska preferoi përdorimin e forcës ushtarake. Zgjidhja nëpërmjet luftës i kushtoi, jo pak, Kremlinit politikisht, ushtarakisht dhe ekonomikisht. Vërtet në Grozni, u vendos një qeveri proruse , por si në të gjitha rastet e zgjidhjeve të dhunshme, nuk ka asnjë garanci që ajo të jetë e qëndrueshme.

Serbia që në fillim ndoqi rrugën e dhunës, si në raport me Republikat, ashtu edhe me krahinat autonome. Sulmin e parë, në fund të viteve '80 Beogradi e drejtoi kundër autonomisë së Kosovës dhe Vojvodinës, me synim eleminimin e saj, gjë që edhe e realizoi në vitet 1989- 1990. Duke e identifikuar veten me Qendrën Federale, 25 etnokracia serbe, ndryshe nga Rusia nuk kërkoi aleat midis republikave simotra për shkatërrimin e kësaj qendre përkundrazi, e mbrojti dhe e shfrytëzoi atë maksimalisht në shërbim të interesave të veta hegjemoniste. Kur u bë e qartë se, megjithatë, ruajtja e federatës së mëparëshme ishte e pamundur, Serbia vendosi të rishikojë në mënyrë radikale kufijtë e ish republikave jugosllave, 26 për të rikthyer kufijtë e vet "historikë" për të rifituar atë " çfarë kishte humbur në paqe", e udhëhequr nga koncepte e përfytyrime që i përkisnin më shumë shekullit të 19-të, se atij të 20. Duke ju referuar përdorimit të forcave të ushtrisë jugosllave kundër republikave të tjera, ish Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Andrej Kozirjev, shkruan se kjo do të ishte njëlloj sikur Rusia të përdorte forcat e armatosura të Bashkimit Sovjetik kundër Bjellorusisë, si përgjigje ndaj aspiratave të saj për të fituar pavarësinë dhe sovranitetin e vet shtetëror. 27 Në vend që të nxirrte mësime nga dështimet në tre luftëra të njëpasnjëshme kundër Sllovenisë, Kroacisë, dhe Bosnje-Hercegovinës, Serbia, me makinën e vet luftarake, në pranverën e vitit 1999, ju turr Kosovës, duke kryer një spastrim etnik të përmasave të tilla që të kujton holokaustin, me të vetmin ndryshim që, në vend të çifutëve këtë rradhë, viktima ishin shqiptarët. Për të parandaluar karastrofën humanitare dhe destabilizimin e mëtejshëm të situatës në rajon, gjë që mund të sillte implikime për paqen e sigurinë edhe tej Ballkanit, komuniteti ndërkombëtar ndërhyri ushtarakisht, duke i detyruar forcat ushtarako-policore serbe të tërhiqen nga Kosova. Mbi bazën e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit nr 1244 dhe Marrëveshjes së Kumanovës, dt 09.06.1999 de facto, Serbisë ju hoq sovraniteti mbi Kosovën dhe, që nga qershori i atij viti, territori i saj u vu në administrimin e OKB-së, duke u kthyer në një protektorat ndërkombëtar. Ky është dallimi tjetër i madh midis zhvilimeve në hapsirën postsovjetike dhe atyre të hapsirës postjugosllave, dallim që ka të bëjë jo me element dosido, apo thjesht me formën, por me thelbin e këtyre zhvillimeve. Dhe së fundi, por jo me më pak rëndësi : ndërsa shpërbërja e Bashkimit Sovjetik filloi dhe mbaroi në kapërcyellin e viteve '80-'90, procesi i shpërbërjes së Jugosllavisë nuk u mjaftua me dekadën e fundit të shekullit të 20, por vazhdoi edhe në shekullin e 21-të. Pavarsimi i Malit të Zi, më 21.05.2006 ështe dëshmia më e freskët e vazhdimit të këtij procesi. Kosova, sipas të gjitha gjasave, do të jetë akti i fundit që do të përmbyll një proces të nisur para 17 vjetësh, një proces që u shoqërua me tronditje dhe tragjedi, por që, me mbylljen e plagës kosovare, jep shpresë që, më së fundi, në Kosovë, në Serbi dhe në Ballkan do të ketë paqe, siguri dhe stabilitet. Njohja me simetritë dhe asimetritë e ish Federatave shumëkombëshe socialiste të BRSS dhe RSFJ krijon mundësinë e kuptimit më të drejtë të zhvillimeve komplekse të hapsirave postsovjetike dhe postjugosllave, në mënyrë të veçantë, të lindjes dhe zhvillimit të konflikteve, elementët e përbashkët dhe specifikat e tyre, gjithnjë në funksion të pyetjes themelore që pret përgjigje nga ky studim: Çfarë përfaqëson Kosova, një rast universal apo sui generis? Veç udhëtimit në kohë është i nevojshëm edhe një udhëtim në hapsirat postsovjetike. Rruga që të çon tek përgjigja e pyetjes sonë kalon nëpër rajonet e Trandnistrias, Abhazise, Osetisë së Jugut dhe Nagorni Karabah, për të përfunduar sërish në Kosovë.

Konfliktet e ngrira në hapësirën postsovietike

Rasti i Transdnistrias

Transdnistria de jure ndodhet në Republikën e Moldavisë, de fakto, që nga viti 1990, e pavarur, por pa njohje ndërkombetare. Ka një sipërfaqe prej 4163 km2 dhe një popullsi prej 555.347 banorë (2004). Kryeqytet i vendit eshte Tiraspol. Tre janë grupet kryesore etnike që popullojnë Transdnistrian: moldavët përbëjnë 31.9 %, rusët 30.4 % dhe ukrainasit 28.8%. Në krahasim me regjistrimin e vitit 1989 ka një rënie prej 8 % të popullsise moldave, ndërkohë që ajo ruse është rritur me 5 %(1). Nuk ka një përputhje të plote territoriale midis asaj që është njohur si rajoni i Transdnistrias dhe asaj që përfaqëson sot republika e vetëshpallur. Disa fshatra të Dubasarit, që gjeografikisht i takojnë Transdnistrias janë nën kontrollin e Moldavisë, ndërsa qyteti Tighina dhe disa fshatra që gjeografikisht nuk i përkasin Transdnistrias nuk janë nën kontrollin e saj 2.

Ekonomia e vendit mbështetet në potencialet e ndërmarrjeve të trashëguara nga ish Bashkimi Sovjetik. Prodhon celik, tekstile, produkte ushqimore, etj. Partnerët kryesore tregtarë të saj janë: Rusia, Ukraina dhe Moldavia 3. Subvencionet e Rusisë janë vendimtare për ekzistencën e Transdnistrias. Importimi i gazit rus bëhet me tarifa lehtësuese. Kreditë nga Moska, gjithashtu, janë në kushte lehtësuese. Një pjesë e të ardhurave sigurohen nga kontrabanda e produkteve të naftës, pijeve alkolike, produkteve ushqimore dhe duhanit 4. Struktura legjistative dhe legjislacioni janë të ngjashme me modelin rus, ndërkohë që ruan ende disa simbole të ish Bashkimit Sovietik, si statujën e Leninit nëpër sheshet e qyteteve, draprin dhe cekanin në flamur, monedhën e vet e quan rubel, etj 5. Sa i takon aspektit historik, në vitin 1924, Transdnistria u përfshi në Republikën Autonome Socialiste të Moldavisë, e cila, përvec Transdnistrias, kishte në përbërjen e vet edhe pjesë të Ukrainës, por jo të Besarabisë. Në vitin 1940, me vendim të Sovietit Suprem, u krijua Republika Socialiste e Moldavisë, që përfshiu brenda kufijve të saj një pjesë të Besarabisë, që iu mor në bazë të paktit Molotov-Ribentrop dhe një pjesë të territorit të Moldavisë Autonome që përputhet me Transdnistrian aktuale 6. Më 02.09.1990, pak para se të shpërbëhej Bashkimi Sovjetik, u vetëshpall republikë me emrin Republika Socialiste Sovietike e Transdnistrias Moldaviane. Ky akt i njëanshëm çoi në shpërthimin e luftës midis forcave të saj dhe atyre të qeverisë qendrore, si pasojë e të cilës pati qindra të vrarë e mijëra refugjate. Me 21.07.1992, u arrit armëpushimi që vazhdon të jetë në fuqi edhe sot 7.

Përqasja e Tiraspolit

Më 17.09.06, në Transdnistria u zhvilluan një referendum në të cilin votuesve iu kërkua t'u përgjigjeshin pyetjeve, nëse e përkrahnin kursin drejt pavarësisë dhe për pasojë, asociimin e lirë në Federatën Ruse apo janë për revokimin e pavarësisë dhe, për pasojë, kthimin e vendit në përbërje të Moldavisë. Sipas të dhënave të Tiraspolit, 97.1% e votuesve u shprehën pro pavarësisë 8. Ashtu siç pritej, as referendumi dhe as rezultatet e tij nuk u njohën si të ligjshëm nga asnjë shtet apo organizatë ndërkombëtare. Kishinau e vlerësoi si antikushtetues. Nga ana e tij, MPJ rus, Sergei Lavrov, duke e cilësuar si veprim të njëanshëm, e justifikoi mbajtjen e tij si reagim ndaj hapave po të njëanshëm të Moldavisë, e cila, po sipas tij, ka hequr dorë nga formati shumëpalësh i rregullimit të krizës 9.

Referendumi i fundit ishte i shtati në rradhën e referendumeve të zhvilluara në Transdnistria, të cilat, sipas zyrtarëve të Tiraspolit, i kanë dhënë mbështetje kursit të njohur politik për pavarësi. Sipas tyre, Transdnistria e ka bërë zgjedhjen e vet dhe as që mund të flitet për rikthim të saj në përbërje të Moldavisë. Argumenti i përdorur nga udhëheqja e Transdnistrias për shkëputjen nga Moldavia lidhet me frikën për bashkimin eventual të kësaj të fundit me Rumaninë. Sipas studiuesit francez Yve Lacoste, kjo frikë është e pabazë, pasi, ne vitin 1992, Presidenti moldav dhe ai i Transdnistrias nënshkruan një marrëveshje në Kremlin, sipas së cilës, popullsia rusishtfolëse ka të drejtë të shkëpusë lidhjet me Moldavinë, nëse Kishinau vendos të bashkohet me Rumaninë 10. Ndërkohë, prirjen e vendit të tij për t'iu bashkuar Federates Ruse, presidenti Igor Smirnov, e argumentoi me faktin se, sipas tij, Transdnistria, në fillim të viteve '90, ka votuar për ruajtjen e shtetit sovietik dhe se Rusia, aktualisht, është trashëgimtare e BS 11.

E ndodhur përballë faktit që asnjë shtet, përfshirë edhe Rusinë, nuk e njeh pavarësinë e Transdnistrias, si dhe, e ndërgjegjshme që Moska, aleati i vet më i afërt, siç shprehet Kryetari i Parlamentit të Transdnistrias, Evgeni Shevçuk, "zhvillon politikën e vet të jashtme, duke u nisur nga interesat e veta kombëtare "12, udhëheqja e Tiraspolit preferon që, pavarësine aktuale de facto ta zgjasë sa më shumë në kohë, me shpresë, që një ditë, me krijimin e rrethanave të përshtatshme, ta zyrtarizojë përfundimisht atë.

Përqasja e Kishinaut

Qëndrimi i Kishinaut lidhur me natyrën e konfliktit, shkaqet dhe natyrën e zgjidhjes së tij, është krejt i kundërt me atë të Tiraspolit. Presidenti moldav, Vladimir Voronin, e cilëson separatizmin në Transdnistria, si të provokuar dhe të mbështetur nga jashtë13. I të njëjtit mendim është edhe Ministri i Punëve të Jashtme A. Stratan, sipas të cilit, ky konflikt është "një produkt i interesave dhe synimeve gjeopolitike 14. Për Kishinaun, zgjidhja duhet kërkuar vetëm në kuadër të shtetit moldav, duke i dhënë Transdnistrias një autonomi të gjerë. Në ketë kontekst, me 22.07.2005, parlamenti moldav miratoi ligjin "Për rregullat themelore të zgjidhjes së statusit të vecantë ligjor në bregun e majtë të lumit Dnistria", sipas të cilit, Transdnistria ka të drejtë të zgjidhë, në mënyrë të pavarur, problemet e zhvillimit të vet ekonomik, shoqëror dhe politik, por në përshtatje me kushtetutën e Moldavise15. Por, para se të flitet për statusin, Moldavia kërkon që Transdnistria të plotësojë tre kushte: të demokratizohet, të çmilitarizohet dhe të çrrënjosë krimin e organizuar. Me demokratizimin, Kishinau, në rradhë të parë, nënkupton zgjedhje të lira dhe heqjen e kufizimeve për shoqërinë civile. Ekziston mendimi i përhapur se, në Tiraspol, ekziston një regjim diktatorial që shkel të drejtat e njeriut, nuk lejon lirinë e shtypit dhe as zërat apo lëvizjet e pavarura16. Me çmilitarizim, Kishinau, në rradhë të parë, nënkupton largimin e trupave ruse dhe zëvendësimin e tyre me trupa të tjerë ndërkombëtare. Ndërsa, çrrënjosjen e krimit të organizuar e lidh kryesisht me nevojën e luftës kundër kontrabandës dhe veprimtarive të tjera të paligjshme në fushen ekonomike. Në këtë drejtim, Kishinau, në bashkëpunim edhe me Kievin, duke filluar nga marsi 2006, kanë vendosur një regjim të rreptë për mallrat e eksportit të Transdnistrias, të cilat nuk lejohet të kalojnë nëpër territorin ukrainas pa vulën e doganës moldave.

Përfshirja e faktorit ndërkombëtar

Që në fillim të konfliktit të Transdnistrias, faktori i jashtëm ka luajtur një rol aktiv. Si marrëveshja e armëpushimit (korrik 1992), ashtu edhe dokumentet e tjera të nënshkruara midis Transdnistrias dhe Moldavisë, janë bërë nën kujdesin dhe ndërmjetësimin e aktorëve ndërkombetarë. Midis organizatave rajonale, kontributi i OSBE-së dhe KE-së është më i dukshëm. Nga ana e saj, BE, që nga viti 2005, ka dërguar një mision që merret me problemet e efektivitetit të shërbimeve kufitare dhe doganore. Aktualisht, bisedimet për rregullimin e krizës zhvillohen ne formatin 5+2. ShBA, Rusia, Ukraina, BE dhe OSBE formojnë pesëshen e aktorëve të jashtëm në bisedimet midis Kishinaut dhe Tiraspolit. Midis aktorëve të jashtëm, rolin më të spikatur e luan Rusia. Për të kuptuar natyrën e këtij roli është e nevojshme një ekspoze e shkurtër e qëndrimeve dhe angazhimeve të saj, që nga fillimi i konfliktit dhe në vazhdim.

Faktori rus

Që me shpalljen e RSS të Transdnistrias Moldaviane, në shtator 1990, Moska është treguar shumë aktive, fillimisht, me ndihmën e saj për krijimin e superstruktures së republikës së saposhpallur, policisë, prokurorisë, sistemit bankar, tatimor e doganor, si dhe për konsolidimin e saj si strukturë më vete. Në qershor 1992, armata e 14-të e ushtrisë ruse u gjend në krah të Transdnistrias dhe nënshkrimi i marrëveshjes së Moskës, midis Rusisë dhe Moldavisë, në korrik të po atij viti, bëri të mundur ndërprerjen e luftimeve. Gjate viteve 1992-1994, Rusia u përpoq që, për forcat e veta ushtarake në Transdnistria, të siguronte statusin e kaskave blu, duke legjitimuar qëndrimin e tyre atje. Kjo ishte pjesë e një strategjie që nuk kufizohej vetem me Transdnistrian, por përfshinte të gjitha pikat e nxehta të hapësirës postsovietike. Sipas ish MPJ të Rusisë, Andrei Kozirjev, mandatimi nga ana e OKB-së i trupave ruse si paqeruajtës, diktohej nga nevoja e parandalimit të një "skenari të ri jugosllav" 17. Këtij argumenti i shtoheshin edhe afërsia gjeografike e Rusisë me zonat e konfliktit, si dhe potenciali i saj ushtarak me trupa dhe mjete, pra, si një vend i aftë për të realizuar detyrat paqeruajtëse. Reagimi i fqinjëve të Rusisë ndaj nismës së Moskës ishte negativ. Ish Ministri i Puneve te Jashtme i Ukrainës, A. Zlenko, deklaroi se vendi i tij nuk do të jetë kurrë dakord me këtë rol të Rusisë18. Negativ ishte edhe reagimi i Uashingtonit dhe Brukselit. E gjendur përballë këtyre reagimeve, si dhe presionit gjithnjë në rritje për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga Traktati i Armeve Konvencionale[1], në takimin e nivelit të lartë të OSBE-së, në Stamboll, në vitin 1999, Rusia u angazhua se do të plotësonte detyrimet që rridhnin nga ky traktat deri në fund të vitit 2002. Por edhe ky afat kaloi pa shënuar ndonjë përparim në realizimin e angazhimeve të marra nga ana e Kremlinit. Aktualisht, çështja e trupave ruse në Moldavi është bërë objekt i një debati të nxehtë, jo vetëm në marrëdhëniet mes Moskës dhe Kishinaut, por edhe në ato midis Rusisë dhe vendeve perëndimore. Ministri i Mbrojtjes i Rusisë deklaron hapur se trupat ruse në Transdnistria do të qëndrojne deri sa të rregullohet konflikti(19). Sipas Moskës, një qëndrim i tillë mbështetet në parimin e sinkronizimit, d.m.th të largimit të trupave të saj paralel me zgjidhjen politike, të fiksuar në marrëveshjen e tetorit të vitit 1994 midis Rusisë dhe Moldavisë (20), si dhe në deklaratën përfundimtare të Ministerialit të OSBE-së mbajtur në dhjetor 2002, në Porto, që e lidh largimin e trupave të saj ushtarake nga Transdnistria me krijimin e kushteve të domosdoshme. (21) Udhëheqja e Tiraspolit e mbështet hapur praninë e këtyre trupave, duke i parë ato si garanci për ruajtjen e statukuosë, apo edhe për zgjidhjen eventuale të konfliktit. Sipas saj, është vetë populli që ka votuar për praninë e kontigjentit të paqeruajtësve ruse(22). Nga ana e saj, Moldavia i përmbahet pikëpamjes së kundërt, se kushti i parë për rregullimin e konfliktit është, pikërisht, largimi i trupave ruse nga rajoni.[2] Në fjalimin e mbajtur në Sesionin e 61-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Ministri i Punëve të Jashtme të Moldavisë, A. Stratan, i rikujtoi Moskës se ende nuk po zbaton angazhimet e Samitit të Stambollit të vitit 1999 (23).

Perëndimi është i vendosur në kërkesat e veta për largimin e trupave ruse konform Traktatit të Armëve Konvencionale. Në deklaratën përfundimtare të Samitit të NATO-s, në Riga, më 29.11.2006, pasi shprehet keqardhja për mungesën e progresit për tërheqjen e trupave ruse nga Moldavia, i bëhet thirrje Moskës që këtë proces ta përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur.(24)

Duke qenë konseguente në ruajtjen e pranisë së saj në rajon, nga ana tjetër, Rusia nuk e ka njohur pavarësinë e Transdnistrias. Në marrëveshjet e nënshkruara nga Moska, si dhe në projektet që mbajnë autorësine e saj lidhur me rregullimin e konfliktit, Transdnistria e gjen veten brenda Moldavisë, si element federativ apo konfederativ, por gjithnjë në përbërje të shtetit moldav. Plani Primakov (2000) dhe Memorandumi Kozak (2003) (25) konfirmojnë tërësinë territoriale të Moldavisë. Në këtë kontekst, nuk duket të kenë gjasa reale për t'u realizuar, të paktën, në perspektivë të afërt, thirrjet e Tiraspolit për t'iu bashkuar Rusisë, qoftë edhe në formën e asociimit. Sipas shumë analistëve, vështirë të vihet në pikëpyetje ekuilibri gjeopolitik I vendosur pas Luftës së Ftohtë. Aspekti ligjor përbën një element tjetër të rëndësishëm. Sipas Kryetarit të Komitetit të Këshillit të Federatës për cështjet e Bashkësisë së Shteteve të Pavarura, Vadim Gustov, që nga viti 2001, në Rusi është në fuqi ligji që rregullon hyrjen e formacioneve shtetërore në përbërje të Rusise, por Transdnistria, në bazë të ketij ligji, nuk mund të futet në Federatën Ruse, pasi ajo është pjesë përbërëse e Moldavisë.(26)

Vec aspektit gjeopolitik, ligjor, nisur edhe nga problematika komplekse e marrëdhënieve të Rusisë me eksklavën e vet, Kaliningradin, vështirë të besohet që Moska do ta priste krahëhapur edhe një eksklavë tjetër, në formën e sanduicit, midis Ukrainës dhe Moldavisë, sic është Transdnistria. Më afër të vërtetës duket të jetë pohimi, sipas të cilit, interesat reale të Moskës lidhen me ruajtjen e statusit të tanishëm të Transdnistrias, de fakto e pavarur, de jure pjesë e Moldavisë. Transdnistria është e dobishme për Rusinë, për aq kohë sa është pjesë e Moldavisë, duke i siguruar asaj levën e nevojshme për ta përdorur kundër qeverisë së Kishinaut (27), sa herë që ky i fundit, sipas Moskës, shkon më larg se c'duhet në kursin e vet properëndimor. Në varësi të interesave të veta shtetërore, në marrëdhëniet me Transdnistrian dhe Moldavinë, Kremlini alternon politikën e kulacit, kryesisht ndaj Tiraspolit, dhe atë të kërbacit, kryesisht ndaj Kishinaut. Ndalimi apo lejimi i kuotave të caktuara në eksport-import, ulja apo ngritja e cmimeve për lëndëët energjitike, dhënia apo bllokimi i kredive me kushte lehtësuese, janë pjesë e këtij mekanizmi, ingranazhet e të cilit, jo rrallë, vihen në lëvizje dhe jo vetem në rastin e këtij konflikti. Ruajtja e statusquosë së Transdnistrias, konservimi apo ngrirja e ketij konflikti i jep mundësi Moskës që të realizojë synimet e veta strategjike, me një kosto të pranueshme politike dhe, në kushtet e mbajtjes, përgjithësisht nën kontroll të situatës në rajon. Prishja e statuskuosë, "shkrirja e konfliktit të Transdnistrias" do të vinte në pikëpyetje të dy këta elementë që për Kremlinin konsiderohen me rëndësi të dorës së parë.

Me gjithë mosmarrëveshjet e thella që ekzistojne për zgjidhjen e krizës midis Tiraspolit dhe Kishinaut, si dhe midis këtij të fundit dhe Moskës, duhet vënë në dukje se, në krahasim me konfliktet e tjera të "ngrira" në hapësirën postsovjetike, në Transdnistria nuk pati spastrim etnik në shkallë të gjerë dhe të zhvendosurit nuk u kthyen në problem të mprehtë politik. Vec të tjerash, kjo shpjegohet edhe me faktin që të dy palët e përfshira në konflikt, nga ana etnike dhe linguistike, janë të njëjta. Si Transdnistria, ashtu edhe Moldavia, banohen, kryesisht, nga moldavë, rusë dhe ukrainas. Ndërkohë, raportet etnike brenda vetë Transdnistrias janë shumë të përafërta. Secili nga grupet më të mëdha etnike (moldavë, rusë, ukrainas) zë rreth 1/3 e totalit të përgjithshëm të popullsisë.

Në pamje të parë krijohet përshtypja se këto specifika favorizojnë një zgjidhje të lehtë dhe të shpejtë të këtij konflikti. Nëse flitet për cështje të tilla, si bashkëpunimi ekonomik e tregtar, ndërmarrja e hapave për demokratizimin e shoqërisë, sigurimi i lëvizjes së lirë, vendosja dhe forcimi i besimit të ndërsjellë, etj, natyrisht që ka mundësi për të ecur përpara. Por, në raport me zgjidhjen përfundimtare të krizës, të gjithë këta elementë jane sekondarë. Dy janë faktorët vendimtare: tërheqja e trupave ruse dhe marrëveshja për statusin politik të Transdnistrias (28). Qëndrimet diametralisht të kundërta të palëve të interesuara për tërheqjen e trupave dhe përcaktimin e statusit kushtëzojnë mbajtjen në gjendje të ngrirë të konfliktit. "Shkrirja" e tij mund të vijë vetëm nëse "shkrihen", ndryshojne qëndrimet politike të palëve të përfshira në konflikt. Në këtë kuptim, rasti i Kosovës, sido që të jetë zgjidhja që do të jepet për të, as nuk e ngrin, as nuk e shkrin konfliktin e Transdnistrias.

RASTI I ABHAZISË

Abhazia de jure ndodhet në Republiken e Gjeorgjisë, de fakto, që nga viti 1992, e pavarur, pa njohje ndërkombëtare. Ka një sipërfaqe prej 8600 km2 dhe një popullsi prej 250.000 banorësh. Nga veriu kufizohet me Federatën Ruse, nga Juglindja me rajonin gjeorgjian Samegrello. Laget nga ujrat e Detit të Zi dhe zotëron, pothuaj gjysmën e vijës bregdetare të Gjerogjisë. Është një vend, kryesisht, bujqësor. Në kohën e bashkimit Sovjetik është njohur si qendër turistike. Qeveria de fakto është e vendosur në kryeqytetin e vendit Suhumi, ndërkohë që ekziston edhe ajo de jure, e vendosur në Abhazinë e sipërme, në Çalta.(1). Suhumi kontrollon, pothuaj, të gjithë teritorin e autonomisë së dikurshme, me përjashtim të grykës së Kodorit, që kontrollohet nga Tbilisi.(2). Abhazët janë një popull i vogël malësor, ndër më të vjetrit e Kaukazit verior, që dallohet qartazi nga gjeorgjianët, si në pikëpamje etnike, ashtu edhe gjuhësore e kulturore. Shumica e tyre janë të besimit musliman (sunit), por ka edhe ortodoksë, paganë dhe ateistë.(3).

Pas vitit 1917, u përfshi në Bashkimin Sovjetik, fillimisht në përbërje të Federatës Transkaukaziane, si republikë sovrane. Në vitin 1925 Abhazia miratoi kushtetutën e vet, të cilën, Suhumi e konsideron si themelin e shtetësisë së sotme. Pas vitit 1931, ka gëzuar statusin e Republikës Autonome në kuadër të Republikës Socialiste Sovjetike të Gjeorgjisë.(4). Në kapërcyllin e viteve '80-'90, filluan përplasjet midis Suhumit që, nga frika e humbjes së autonomisë në një Gjeorgji të pavarur, synonte shkëputjen prej kësaj të fundit, si dhe të Tbilisit, që në emër të paprekshmërisë së kufijve dhe ruajtjes së integritetit territorial, i kundërshtonte këto përpjekje. Në mars të vitit 1991, abhazët, ndryshe nga gjeorgjianët, morën pjesë në një referendum të organizuar për të vendosur mbi të ardhmen e Bashkimit Sovjetik, duke votuar në favor të ruajtjes së tij si shtet federal, i unifikuar (5). Shpallja e pavarësisë, më 23.07.1992, shënoi fillimin e ballafaqimit të armatosur midis Gjeorgjisë dhe Abhazisë, i cili, në momente të caktuara, sidomos gjatë vitit 1993, u shoqërua më një shkallë të egër dhë të paparë dhune. Marrëveshja që i dha fund konfliktit të armatosur u nënshkrua në Moskë, në maj të vitit 1994. Për fat të keq, pasojat e këtij ballafaqimi, ndër më të ashprit në hapsirën post-sovjetikë, ishin fatale për popullsinë civile: mijëra të vrarë dhe të zhdukur, qindra mijëra të zhvendosur dhe refugjatë. Gjatë masakrës famëkeqe të Suhumit, forcat abhaze kryen një "spastrim të vërtetë etnik, duke detyruar të largohen nga shtëpitë dh trojet e tyre mbi 200.000 vetë, kryesisht gjeorgjianë (6).

Spastrimi i egër etnik solli si pasojë ndryshimin e strukturës etnike të popullsisë. Në vitin 1989, popullsia e Abhazisë ishte 537.000 banorë (7). Nga këta, 93.000 ishin abhazë ose 18% e popullsisë, gjeorgjianë ishin 240.000, ose 45%, armenë 15%, rusë 14% etj.(8). Por raportet e tanishme paraqiten krejt ndryshe. Abhazët zënë 45% të totalit të popullisë.

OSBE i ka dënuar spastrimet etnike në samitet e veta në Budapest (1994), Lisbonë (1996), Stamboll (1999).(9). Të njëjtën gjë ka bërë edhe Këshilli i Sigurimit të OKB-së, i cili, në një sërë rezolutash të miratuara prej tij i cilëson si të papranueshmë ndryshimet demografike që kanë ardhur si pasojë e konfliktit (10) dhe kërkon marrjen e masavë urgjente që mundësojnë kthimin e refugjatëve dhe përsonave të zhvendosur brenda vendit. Deri tani, rezultatet e kthimit të tyre janë krejtësisht modeste.

Përqasja e Suhumit

Qeveria de fakto e Abhazisë e konsideron vendin e vet një shtet të pavarur dhe kërkon që komuniteti ndërkombëtar ta njohë zyrtarisht si të tillë. Të drejtën e vet për shtet të pavarur, Suhumi e bazon në argumente historikë: sipas tij, abhazët kanë jetuar para gjeorgjianëve në territrorin e kontestuar; në eksperiencën e mëparshme të ekzistencës si subjekt i pavarur-duke ju referuar periudhës 1921-1931 në përbërje të Bashkimit Sovjetik: në argumente juridikë-parimet e së drejtës ndërkombëtare, kryesisht, e drejta e vetëvendosjës së popujve. Suhumi akuzon Tbilisin për përfshirjen me dhunë të Abhazisë në Gjeorgji dhe për politikën diskriminuese të kësaj të fundit ndaj abhazëve, gjatë gjithë epokës sovjetike. Argumenteve të mësipërme, Suhumi u shton të drejën e shtëtësisë që, sipas tij rrjedh nga realiteti politik aktual: qeveri funksionuese, president i zgjedhur në mënyrë demokratike, ushtri e aftë për të mbrojtur vendin, si dhe ekonomi në rritje që garanton zhvillim të qëndrueshëm.(11). Sipas Presidentit abhaz, Sergej Bagapsh, vendi i tij ka shkuar aq larg në rrugën e tij drejt pavarësisë, sa as që mund të mendohet një rikthim prapa, në përbërje të Gjeorgjisë. Ai shprehet në mënyrë kategorike se "Abhazia kurrë nuk mund të jetojë së bashku me Gjeorgjinë, në të njëjtin territor, në të njëjtin shtet.(12).

Është e vertetë që Abhazia ka vite që imiton jetën e një subjekti të pavarur shtetëror, por gjendja e përgjithshmë ekonomike e shoqërore, si dhe stabiliteti i vendit nuk janë aq rozë, sa ç'paraqiten nga autoritetet e pushtetit aktual në fuqi. Edhe sot e kësaj dite, abhazët, nuk janë shumicë në atë që e konsiderojnë si republikën e tyre të pavarur. Siç u tha më lart, nga 18% në vitin 1989, ata sot përbëjnë 45%, pra as gjysmën e popullsisë së vendit. Rusët, armenët dhe gjeorgjianët, të marrë së bashku, përbëjnë shumicën. Qëllimi politik i kësaj shumice nuk është i njejtë me atë të abhazëve etnikë. Rusët dhe armenët preferojnë integrimin në Federatën Ruse, ndërsa gjeorgjianët etnikë që banojnë në rajonin e Galit, të ardhmen e vet nuk e shohin jashtë Gjeorgjisë. Vetë abhazët nuk janë unikë në qëndrimin e tyre lidhur me të ardhmen politike të vendit. Një pjesë e tyre përjashtojnë çdo zgjidhje tjetër, veç pavarësisë, por nuk janë të paktë ata që mbështesin një anëtarësim të asociuar, apo një protektorat rus. Në aspektin ekonomik dhe shoqëror, vendi pothuajse është kthyer në një protektorat të tillë. Shkëmbimet ekonomiko-tregtare bëhen në një drejtim-me veriun (Rusinë). Nga veriu vijnë pensionet dhe po andej edhe turistët, deri tani, të paktë. Rubla është monedhë e vendit. Shumica dërmuse e popullsisë është e pajisur me pasaporta ruse. (13). I ndërgjegjshëm për këtë realitet, Presidenti S. Bagapsh deklaron: "për ne bazë e gjithçkaje janë marrëdhëniet me Rusinë, me pushtetin rus" (14).

Ndryshe nga Nagorni Karabah, abhazët nuk kanë diasporë të fuqishme që mund të ndihmonte vendin, ose të merrte pjesë në projekte të rëndësishme zhvillimi. Nga ana tjetër, megjithë pretendimet për ekzistencën e institucioneve "të qëndrueshme, demokratike" etj., realiteti dëshmon se ato janë të brishta në qendër dhe në bazë. Vetë zgjdhjet, mbi bazën e rezultateve të të cilave, pretendohet se janë krijuar këto institucione, si dhe referendumet e shpeshta për çështje, kryesisht politike, nuk janë njohur nga asnjë shtet apo organizatë ndërkombëtare. Veç të tjerash, ato nuk plotësojnë një standard elementar-pjesëmarrjen e votuesvë në to. Për shkak të zhvendosjes së pjesës më të madhe të popullsisë të paraluftës dhe pamundësisë së saj për t'u kthyer në vendbanimet e veta, tani për tani, nuk mund të bëhet fjalë që kjo e drejtë elementare të plotësohet.

Përqasja e Tbilisit

Gjeorgjia nuk e njeh pavarësinë e Abhazisë, as qeverinë e Suhumit. Ajo e konsideron atë si produkt të një lufte të armatosur që çoi në spastrim etnik dhe, si të tillë, jo legjitime. Për të legjitime është qeveria de jure që, sipas saj, përfaqëson më shumë se gjysmën e popullsisë së paraluftës. Tbilisi përjashton çdo zgjidhje të problemit abhaz jashtë territorit të shtetit gjeorgjian. Përkundrazi, rivendosja e tërësisë territoriale të vendit është objektivi themelor i lidershipit aktual.(15). Për të abhazët janë pakicë dhe, si të tillë, duhet të gëzojnë të drejtat që burojnë nga ky status. Në këtë kuadër, maksimumi që u ofrohet, është autonomia e brendshme. Të drejtën e vet për të mos lejuar shkëputjen e Abhazisë, Tbilisi e bazon në argumentë historikë: sipas tij, abhazët kanë ardhur në territorin ku banojnë sot në një periudhë shumë më të vonshme se gjeorgjianët; në argumente juridikë e konstitucionalë- kushtetuta gjeorgjiane e përcakton Abhazinë si autonomi, ndërsa e drejta ndërkombëtare mbron tërësinë territoriale dhe paprekshmërinë e kufijve ekzistues.

Përballë pretendimit të Abhazisë për eksperiecë të pavarur në përiudhën 1921-1931, Tbilisi u referohet fakteve të tilla si nënshkrimi nga Suhumi, në dhjetor të vitit 1921 të protokollit për kalimin e disa kompetencave të saj Gjeorgjisë, si dhe nenit 15 të Kushtetutës së Bashkimit Sovjetik (1924) që e shpallte atë si republikë autonome në përbërje të RSS të Gjeorgjisë.(16). Ndërsa pretendimeve të Abhazisë për ta paraqitur shkëputjen e saj nga Gjeorgjia dhe pavarësinë si shprehje të vullnetit të popullit, të konfirmuar me referendume, Tbilisi i kundërvë vullnetin e "refugjatëve" që Abhazia të mbetet brenda shtetit gjeorgjian, vullnet që, gjithashtu është konfirmuar me referendum, të organizuar nga pala gjeorgjiane.(17).

Ashtu si në rastin e Osetisë së Jugut, edhe konfliktin në Abhazi, Tbilisi e konsideron një ballafaqim midis vendit të tij dhe Rusisë. Presidenti Saakashvili nuk i trajton ato si konflikte etnike, por si të nxitura e të imponuara nga forcat post-sovjetike, nga mbeturinat e vjetra me mentalitet imperialist "që orvaten të marrin nën kontroll, qoftë edhe një pjesë të territoreve fqinje dhe Gjeorgjia përfaqëson një copë të lakmueshme që duan ta grabisin ose të paktën t'i krijojnë probleme.(18). Ai e akuzon hapur Rusinë për "aneksimin" e heshtur të një pjesë të territorit gjeorgjian, duke i dhënë Suhumit, sipas tij, mbështetje të gjithanshme politike, diplomatike dhe ekonomike.(19). Prezencën e trupave ushtarake ruse në rajon Tbilisi e konsideron si pengesën kryesore për zgjidhjen paqësore të konfliktit.

Për këtë arsye, Parlamenti gjeorgjian, në tetor 2005, miratoi rezolutën "Mbi forcat paqeruajtëse në zonat e konfliktit" që detyron qeverinë të fillojë procedurat për largimin e shpejtë nga Abhazia dhe Osetia e Jugut të paqeruajtësve rusë, si dhe anullimin e strukturave dhe marrëveshjeve përkatëse ndërkombëtare, duke i zevendësuar ato me një format të ri.(20). Domosdoshmëria e një hapi të tillë, sipas rezolutës së Parlamentit gjeorgjian, buron nga fakti që forcat paqeruajtëse kanë kryer veprime të njëanshme "në favor të seperatistëve", (21), ndërsa forcat e sigurimit rus "u kanë dhënë mbështetje grupeve terroriste e subversive" (22). Gjithashtu, Tbilisi, në mënyrë të përsëritur dhe këmbëngulëse ka ngritur problemin e largimit nga Gjeorgjia të bazave ushtarake ruse. Në një prononcim të Ministrit të Mbrojtjes të Federatës Ruse, S. Ivanov, vihet në dukje se, më në fund, marrëveshja për këtë çeshtje delikate është arrritur dhe se, brenda vitit 2007, do të mbyllet baza ushtarake në Ahallkallak, ndërsa, brenda vitit 2008, edhe ajo në Batumi (23). Kjo nuk do të thotë që Rusia do të largohet përfundimisht nga zona. Në një nga pikat e marrëveshjes theksohet se do të krijohet një qendër antiterrori e përbashkët, ruso-gjeorgjiane, e cila do të thithë një pjesë të rëndësishme të personelit dhe të armatimit, të stacionuar në bazat ushtarake Ahallkallak dhe Batumi.(24).

Përfshirja e faktorit ndërkombëtar në konflikt

Komuniteti ndërkombëtar është përfshirë, si gjatë konfliktit, ashtu dhe më vonë, në procesin e bisedimeve midis palëve. Që nga viti 1994, në Abhazi janë vendosur farcat paqeruajtëse të bashkësisë së shteteve të pavarura (25), ku rolin vendimtar e luajnë forcat ruse. Midis organizatave ndërkombëtare, OKB-ja ka qenë dhe mbetet ndër më aktivet. Nën kujdesin e saj dhe me ndërmjetësimin e Rusisë, në vitin 1994 u nënshkrua marrëveshja që i dha fund ballafaqimit ushtarak. Sekretari i Pëegjithshëm i OKB-së, ka dërguar në zonën e konfliktit një përfaqësues të tij të posaçëm. OKB-ja kryen misione vëzhgimi (UNOMIG), merret me ndihmë humanitare (UNHCR, UNOCHA), si dhe me problemet e respektimit të të drejave të njeriut, ndërtimit të mirëbesimit etj.(26). Edhe OSBE-ja është e angazhuar në një dialog intensiv me zyrtarët dhe shoqërinë civile, sidomos me organizatat joqeveritare (NGO) dhe mediat, kryesisht për standardet e dimensionit human.

Bisedimet midis Tbilisit dhe Suhumit zhvillohen në kuadrin e procesit paqësor te Gjenevës, nën kryesinë e OKB-së, me ndërmjetësimin e Rusisë, me pjesëmarrjen e vëzhguesve të OSBE-së, si dhe të grupit të miqve të Gjeorgjisë*, një "grup kontakti", i llojit të vet për zonën e Kaukazit. Janë paraqitur disa variante për zgjidhjen e konfliktit, por të gjithë janë hedhur poshtë, herë nga Tbilisi e herë nga Suhumi. Të njëjtin fat pati edhe projekti "Boden" **, sipas të cilit, Abhazisë, duhej t'i jepej statusi i krahinës autonome në përbërje të Gjeorgjisë (27). Që nga viti 1997 vepron Këshilli Koordinues, në përbërje të të cilit janë tre grupe pune për ruajtjen e rendit dhe mos lejimin e ripertëritjes së dhunës, për kthimin e refugjatëve dhe të të zhvendosurve, si dhe për probleme ekonomike. Veprimtaria e këtij Këshilli, thuajse, është inekzistente. Që nga viti 2001 ka zhvilluar vetëm një mbledhje.

Bashkimi Europian nuk merr pjesë drejtpërdrejt (29) në bisedimet për rregullimin e konfliktit, por, nga ana tjetër, është donator i rëndësishëm, kryesisht për realizimin e projketeve që lidhen me rehabilitimin dhe rikonstruksionin e objekteve social-ekonomike të shkatërruara gjatë luftës.

* Grupi miqtë e Gjeorgjisë është krijuar në vitin 1993 dhe në të bejnë pjesë përfaqësues të SHBA-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Rusisë.

** Diter Boden, përfaqësues i OKB-së në Gjeorgji, në vitin 2001, hartoi dokumentin "Mbi parimet themelore të përcaktimit të kompetencave midis Tbilisit dhe Suhumit".

* Drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike


[1] Bisedimet për nënshkrimin e Traktatit për Forcat Konvencionale filluan në 1973 dhe përfunduan me nënshkrimin e tij në 1990. Në bazë të këtij traktati, deri në fund të 1995, Rusia duhej të shkatërronte një pjesë të madhe të armatimit të saj të rëndë, që gjendej në krahun jugor dhe verior të ish-Traktatit të Varshavës.

[2] Rusia ka te instaluar rreth 1200 trupa ne rajon. (Reuters, 17.09.06)

______________

Shënim : pikepamjet e shprehura ne studim jane te autorit dhe nuk implikojne asnje institucion tjeter.

Nuk ka komente: