e hënë, mars 12, 2007

Eduard Selami fsheh diktaturën në PD

Eduard Selami fsheh diktaturën në PD

Nga Bashkim Kopliku

[Gazeta Shqiptare, 11.03.2007]

U botua në “të gjitha gazetat” (9.3.2007), intervista e z. Eduard Selami, nga Nju Jorku në Amerikë (SHBA). Aty, ndërmjet të tjerave, fshihet realiteti brenda PD-së: mungesa e demokracisë së brendshme, moskryerja e zgjedhjeve të lira, pra instalimi i diktaturës. Një parti e tillë, në një shtet demokratik, do të ndalohej me dhunën e ligjit.

Fshehja e realitetit dëmton rëndë përpjekjet për demokratizimin e vendit. Duhet vënë diagnoza e sëmundjes së PD-së, që të shërohet, të rilindë PD-ja, partia jonë që rrëzoi komunizmin në vitin 1991.

Qëllimin i mirë i “shtensionimit të situatës në Shqipëri”, i ndërrimit të lidershipit, i zgjedhjeve të lira etj., arrihet vetëm duke vendosur lirinë dhe demokracinë, brenda vetë partive politike.

Amnezia e farsës së votimit të hapur

Z. Selami duket sikur ka amnezi (harresë patologjike) të realiteteve, megjithëse i ka vuajtur edhe vetë, e personalisht. Kështu, i pyetur për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të PD-së, më 5 mars 1995, ai shprehet në Intervistë, si vijon: “u shpreh mendimi i Kuvendit të jashtëzakonshëm të Partisë Demokratike, të cilin unë gjithmonë e kam respektuar pavarësisht se nuk kam qenë dakord me të”.

Na thotë se qenka shprehur mendimi i një forumi, pavarësisht se aty u bë shkelje e bazave të demokracisë: u bë votim i hapur, me ngritje dore, për shkarkimin e tij, të vetë z. Selami! Kjo gjë ishte në kundërshtim të plotë me statutin e PD-së, por edhe me çdo statut të çdo partie demokratike. Ai votim të kujtonte përjashtimet e “armiqve të partisë”, të bëra nga Enver Hoxha, në mbledhjet e tija perverse të Komitetit Qendror të PPSh-së, ku drejtues të lartë të partisë, komunistë e krijues të saj, përjashtoheshin me votime të hapura, e tek dera i priste “Gazi” i sigurimit (emri popullor i asaj kohe, i fuoristradave të policisë politike komuniste), që i çonte në burg e në pushkatim. Z. Selami nuk e priti Gazi i Sigurimit, sepse nuk ishte më në modë, por e priti pushkatimi politik: izolimi tërësor, largim edhe i miqve të afërt, saqë i numëronte me gishta njerëzit që kishin guximin t’i flisnin me gojë; e pritën sharjet e berishistëve militantë, në çdo lokal ku guxonte të ulej për të pirë një kafe etj. etj.. Ai, z. Selami u detyrua të largohej nga vendi, sepse qëndrimi i mëtejshëm në Shqipëri, iu bë i padurueshëm, dhe edhe i rrezikshëm.

Z. Selami, demonstron dhe një fshehje të realitetit të zhvillimeve që pasuan.

PD aktuale qelbet nga diktatura

Në Intervistë, z. Selami thotë: “Z.Nano është votuar si kryetar i PS dhe z.Berisha si kryetar PD. [...] Dilema është që janë të votuar dhe rezultati dhe praktika është këto njerëz megjithëse nuk kanë qenë të suksesshëm dhe vazhdojnë të votohen”.

Jo, ata nuk janë votuar, por janë imponuar—ky fakt shpjegon “dilemat”.

Dëgjojmë rëndom nga militantët e të dy krahëve, po të njëjtën gjë: “Berisha (Nano) merr votat, e demokracia është votë”. Në PD (natyrisht edhe në PS, por po ndalojmë tek partia që e njohim me hollësi, e direkt), ka vite që praktikisht nuk ka votim, por një farsë. Pas humbjes së referendumit (6 nëntor 1994), në PD u vendos praktikisht një diktaturë. U ndalua debati në forumet (në kryesitë, në aktivet, në seksionet, në kongreset etj.), duke kërcënuar bartësit e mendimeve ndryshe, me përjashtime, me dëbime, me ngrirje, deri dhe me cenime të integritetit fizik të “guximtarit”. Vendimet e forumeve u zëvendësuan me vendime individuale të kryetarit, z. Berisha. Zgjedhjet në parti nuk bëhen më nga poshtë lart, por janë zëvendësuar me emërime nga lart poshtë, direkt nga z. Berisha, mbi bazën e një rrjeti të tij brenda PD-së, rrjet i cili varet prej tij personalisht, rrjet që asfikson forumet e PD-së. Natyrisht, inskenohen votime, njerëzit në parti bëjnë sikur votojnë.

Vetëm brenda 10 vjetëve të para të “demokracisë alla berishizëm”, nga kongresi i parë i PDSH (shtator 1991) e deri në fundin e vitit 2002, vetëm lart, nga 18 anëtarët e parë të kryesisë së partisë (PDSH), u hoqën si “armiq” apo si “deviatorë”, 13 vetë (Ceka, Demeti, Hajdari, Imami, Kopliku, Meksi, Pashko, Ruli, Selami, Toto, Uka, Vejsiu dhe Zogaj )—besoj se berishizmi ia kaloi edhe enverizmit, në diktaturën e tij brenda partisë. I vetmi, e përsërisim, i vetmi nga “18 të parët”, që ka 16 vjet anëtar i vazhdueshëm i Kryesisë, është z. Berisha.

Një parti e tillë është e ndaluar me ligj

Gjendja e demokracisë së brendshme në PD, është antiligjore. PD aktuale do të ndalohej në një shtet demokratik, në një shtet që zbaton ligjet, si ai ku jeton z. Selami (Amerika). Po, po, do të ndalohej. Ja se ç’shkruhet në Kushtetutë dhe në Ligj (ligji Nr.8580, datë 17.2.2000, “Për partitë politike”), në tonat:

Kushtetuta:

NENI 9

1. Partitë politike krijohen lirisht. Organizimi i tyre duhet të përputhet me parimet demokratike.

2. Partitë politike [...] veprimtaria e të cilave mbështeten në metoda totalitariste, që nxitin e përkrahin urrejtjen [...] krahinore [...] që përdorin dhunën për marrjen e pushtetit ose për të ndikuar në politikën shtetërore, [...] janë të ndaluara sipas ligjit.”

Ligji:

“Neni 6

Nuk lejohet krijimi i një partie ose ndalohet veprimtaria e saj :

[...]

c) kur qëllimet e veprimtaria e saj vijnë në kundërshtim me parimet kushtetuese [...]

ç) kur organizimi i saj i brendshëm është në kundërshtim me parimet demokratike si : ndërtimi nga poshtë lartë i partisë, zgjedhjet e brendshme demokratike për forumet e partisë, e drejta e shprehjes së mendimit për çdo anëtar, liri hyrje e dalje nga partia, deklarim dhe lejim i kontrollit në përdorimin e burimeve dhe mjeteve financiare [...].

Këto janë ligjet, dhe këto janë realitetet e moszbatimit të tyre.

Bashkim Kopliku

10.3.2007

Bashkim Kopliku
Phone: +355(0)52 23663
Mobile: +355(0)682200590
E-mail:<
bkopliku@gmail.com>
optional <
koplikub@yahoo.com>;

Nuk ka komente: